Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se proceset qeverisëse në Kosovë janë në ngecje, duke kërkuar një analizë të mirëfilltë të raportit të Bashkimit Evropian.
Ai ka theksuar se nevojitet një analizë e hollësishme për të identifikuar ngecjet dhe problemet që po i përcjellin këto procese.
“Diçka që veç e dimë. Ne që jetojmë e dimë se krejt proceset qeverisëse janë në ngecje. Duhet me i bërë një analizë të mirëfilltë të gjitha këtyre ngecjeve dhe proceseve që merren me integrimin evropian dhe euroatlantik, pasi nuk janë mirë”, ka deklaruar Haradinaj.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026, i publikuar më 4 nëntor, paraqet vlerësimin e gjendjes së reformave dhe zhvillimeve politike e institucionale në Kosovë, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Në raport theksohet se procesi i reformave të lidhura me Bashkimin Evropian ka stagnuar, kryesisht si pasojë e krizës së zgjatur institucionale dhe bllokadës politike. Periudha e vlerësimit përfshin zhvillimet nga shtatori 2025 deri në shtator 2026.

