Përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta kanë zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian, ku kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj Gjykatës Speciale dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e rezolutës së Këshillit të Evropës, mbi të cilën është ndërtuar procesi i saj.
“Ky aksion simbolik para zyreve të Bashkimit Evropian është i qartë se pikërisht në bazë të raportit të Dick Martit, në bazë të shpifjeve të raportit të Dick Martit dhe rezolutës së Këshillit të Evropës, është krijuar një komision që është marrë dhe me hetimet e atyre pretendimeve që nuk kanë rezultuar dhe nuk është faktuar asgjë për çka janë akuzuar krerët. Dhe e kemi thënë edhe më herët që, meqënëse nuk është faktuar asgjë nga ajo që është sajuar nga raporti i Dick Martit, kjo gjykatë është dashur të jetë inekzistente”, tha ai.
Jashari kërkoi gjithashtu reagim institucional dhe angazhim diplomatik për rishqyrtimin e rezolutës së Këshillit të Evropës.
“Dhe ne sot, përtej mbështetjes dhe solidaritetit me familjet e krerëve që gjinden atje dhe me vetë krerët, siç kemi vepruar tash e 6 vite, mendojmë se edhe institucionet tona është dashur që të reagojnë dhe t’i kërkojnë Bashkësisë Evropiane, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian që ta rishqyrtojë dhe ta analizojë atë rezolutë mbi të cilën është ndërtuar dhe është bërë një padrejtësi e vazhdueshme ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e goditur luftën më të shenjtë, luftën më të drejtë dhe vlerën më kulmore, pra lavdinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetin e Kosovës, por edhe kombësinë në përgjithësi”, tha ai.
Ai u bëri thirrje institucioneve dhe deputetëve që të angazhohen përmes diplomacisë dhe ligjit, duke përmendur edhe nevojën për miratimin e një neni që, sipas tij, do ta fuqizonte kundërshtimin ndaj Gjykatës Speciale.
“Dhe po shpresojmë dhe ju bëjmë thirrje me një unitet të fuqishëm që të japin kontributin e tyre në të gjitha drejtimet, në diplomaci, me ligjin, sepse ka ndodhur një goditje e rëndë që është kthyer ligji prapa në Kuvend, dhe mendoj se ky leçë duhet të ecë përpara sa më shpejt, t’ju bëjmë thirrje deputetëve dhe të nxjerrë, siç kemi thënë ne organizata të dala nga lufta, vetëm një nen, ai nen i cili e fuqizon këtë gjykatë raciste, këtë gjykatë të padrejtë, e cila në vend që të nxjerrë vendim gjyqësor dhe t’i lirojë krerët që i mban padrejtësisht atje, mori një vendim politik dhe bëri një dënim shumë të lartë dhe të padrejtë”, tha ai.
Edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kritikoi Gjykatën Speciale, duke shprehur pakënaqësi për deklaratat e zëvendësprokurorit të saj dhe mungesën e reagimit nga institucionet e Kosovës.
“Keni dëgjuar para tri-katër ditësh një skandal, i cili nga zvprokurori i Gjykatës Speciale ne na çuan si njerëz kriminelë, dhe presidentin dhe të tjerët. Kjo për ne është e papranueshme dhe qytetarët e Kosovës dhe ne si shoqata të dala nga lufta na çuan si popull kriminal si serbët, që gjëja ne jemi sikur serbët, që ata e varroson Mlladiqin në radhë në mënyrën më të mirë, si heronj që varrosin një kriminel lufte. Dhe neve, zv.prokurori i Gjykatës Speciale, vetë na çuan, na krahasojnë me qytetarët serbë dhe me kriminelë serbë. Pse asnjë zyrtar nga institucioni i vendit nuk ka dalë të reagojë ndaj një njeriu numër dy, i cili është në Gjykatën Speciale, zëvendësprokurori i shtetit, i cili është numër dy, dhe s’ka dalë dikush nga institucionet tona, qoftë nga Ministria e Drejtësisë, t’i reagojë atij edhe t’i thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë ushtri kriminale, nuk ka qenë ushtri e cila ka bërë masakra në gra, fëmijë dhe në pleq apo ka djegur shtëpi në serbi, por ne kemi mbrojtur vendin tonë, kombësinë tonë, që sot lirinë e gëzojmë të gjithë të barabartë”, tha ai.

