Punëtorët e “Trafikut urban” dhe operatorët privatë të transportit në Prishtinë kanë përfunduar protestën e tyre për sot, e cila u organizua për shkak të mospagesave dhe bllokimit të buxhetit të komunës.
Transporti publik dhe ai privat pritet të rifillojë normalisht pas alokimit të mjeteve të nevojshme për pagat dhe obligimet ndaj furnitorëve.
Elmi Gashi nga “Trafiku urban” tha se, menjëherë sapo të kryhet alokimi i parave, punëtorët do të kthehen në punë, duke pasur nevojë për rreth 30 minuta për t’u përgatitur.
“Protesta ka përfunduar. Presim që komuna së shpejti të bëjë alokimin e mjeteve borxh, të cilat janë të nevojshme për pagat dhe përmbushjen e obligimeve ndaj operatorëve privatë. Në momentin që alokohen paratë, ne dalim menjëherë në punë dhe rikthehemi në normalitet brenda gjysmë ore,” tha ai.
Edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Privat, Izet Smajli, konfirmoi rifillimin e transportit dhe shprehu keqardhjen për qytetarët.

