Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, delegacioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës i udhëhequr nga komandanti gjenerallejtënant Bashkim Jashari, fillimisht mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes, “AUSA annual meeting & exposition” në Uashington D.C, forumin dhe panairin më të madh me mbi 700 ekspozues nga fusha e industrisë së mbrojtjes dhe me përfaqësim nga mbi 100 shtete. Kjo pjesëmarrje shërbeu për t’u njohur nga afër me teknologjitë më të fundit ushtarake me qëllim modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në SHBA, gjeneral Jashari u takua edhe me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës të udhëhequr nga gjeneralbrigade Charles H. Lampe, ku u diskutuan të arriturat e deritashme të bashkëpunimit midis FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si edhe planin e bashkëpunimit dy palësh për pesë vitet e ardhshme në mes të dy forcave tona.

