Mër. Sht 30th, 2026

VON DER LEYEN NË SHQIPËRI, PROTESTA PARA KRYEMINISTRISË

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka nisur në Shqipëri turneun e saj në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitës në Tiranë, ajo është takuar me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët me Ramën, von der Leyen e ka cilësuar Shqipërinë si një nga vendet që po avancon në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo ka kërkuar vazhdimin e reformave në kapitujt e hapur të negociatave, duke veçuar drejtësinë, kuadrin zgjedhor dhe mbrojtjen e mjedisit.

Presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar se nuk mjafton vetëm miratimi i reformave, por është i rëndësishëm edhe zbatimi i plotë i tyre, në mënyrë që ato të sjellin ndryshime konkrete për qytetarët. Ajo ka kërkuar gjithashtu dialog të vazhdueshëm me shoqërinë.

Gjatë kohës kur zhvillohej takimi i saj me kryeministrin Rama, dhjetëra protestues janë mbledhur para Kryeministrisë në Tiranë. Protestuesit kanë kërkuar që Bashkimi Evropian t’i dëgjojë shqetësimet e tyre. Një prej thirrjeve të tyre ishte “Shqipëria në BE pa Edi Ramën”.

Sipas REL-it, protestat fillimisht nisën në kundërshtim me projektin në Zvërnec, ndërsa më pas kërkesave iu shtuan edhe çështje politike, përfshirë dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie tranzitore dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Pas Shqipërisë, Ursula von der Leyen do të vizitojë Kosovën dhe Malin e Zi më 1 tetor, ndërsa turneun në Ballkanin Perëndimor do ta përmbyllë më 2 tetor në Maqedoninë e Veriut. Vizitat në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë janë planifikuar për një datë të mëvonshme, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në këto vende./REL

Postime të Ngjashme