Nga 1 tetori 2026 hyn në zbatim të plotë Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, përkatësisht Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se me zbatimin e marrëveshjes janë përcaktuar edhe procedurat për dëshmitë e origjinës dhe deklarimin doganor të mallrave që i plotësojnë kushtet për trajtim preferencial.
Sipas Doganës, operatorët ekonomikë duhet t’i kenë parasysh ndryshimet gjatë përgatitjes dhe deklarimit të mallrave në import. Ata duhet të sigurohen që dëshmitë e origjinës dhe dokumentacioni përkatës të jenë në përputhje me kërkesat e marrëveshjes dhe rregullat në fuqi.
Marrëveshja synon të lehtësojë dhe të rrisë bashkëpunimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe katër shteteve të EFTA-s. Ajo përfshin tregtinë e mallrave, shërbimet, lehtësimin e tregtisë dhe fusha të tjera të bashkëpunimit ekonomik.

