Analisti politik Visar Ymeri, në emisionin “FORUM” në DTV Media, ka komentuar mundësinë e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, në një kohë kur vendi po përballet me zhvillime të reja politike pas verdiktit të 16 shtatorit në Hagë.
Ai ka deklaruar se nuk beson që të gjitha partitë politike kanë të njëjtin vlerësim për situatën aktuale politike dhe elektorale. Sipas Ymerit, nëse do të ketë një marrëveshje mes VV-së dhe PDK-së, arsyetimi publik mund të lidhet me verdiktin në Hagë dhe nevojën që Kosova t’i përgjigjet këtij zhvillimi.
“VV e PDK, nëse bashkohen e bëjnë marrëveshje, duhet me na kallxu arsyen e vërtetë se pse po e bëjnë”, ka thënë Ymeri.
Ai ka theksuar se një bashkim politik nuk mund të cilësohet në vetvete si i mirë apo i keq, por, sipas tij, rëndësi ka arsyeja dhe qëllimi i një marrëveshjeje të tillë.
“Për mua, bashkimi në vete nuk mund të jetë as i mirë as i keq. Për çka po bashkohesh? Për me nda pushtet apo ke strategji se qysh të sillemi karshi Gjykatës në Hagë?”, është shprehur Ymeri.
Sipas tij, nëse partitë politike arrijnë një marrëveshje, ato kanë një përgjegjësi për t’ua shpjeguar qytetarëve arsyet e bashkëpunimit dhe për të sqaruar se çfarë ndodh me qëndrimet dhe përplasjet që kanë pasur deri më tani.
“Në këtë situatë partitë politike kanë një obligim: të na tregojnë pse po bashkohen dhe ku mbetet armiqësimi dhe fjalët që i kanë pas deri tash”, ka deklaruar Ymeri.
