Sht. Gus 8th, 2026

Vihet gurthemeli i xhamisë së Gurit në Malishevë

Me një ceremoni solemne, sot në qendër të Malishevës u vu gurthemeli i Xhamisë së Gurit, e cila synohet të shndërrohet në një nga hapësirat e rëndësishme të jetës fetare, edukative dhe shoqërore të qytetit.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë qytetarë të shumtë, përfaqësues të institucioneve komunale dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët u bënë bashkë për të shënuar fillimin e ndërtimit të këtij kompleksi, i cili përveçse do të shërbejë si vend faljeje dhe adhurimi, synon të jetë edhe një qendër e edukimit, mësimit, solidaritetit dhe aktiviteteve në shërbim të komunitetit.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, kryetari i Malishevës, z. Ekrem Kastrati, kryetari i Nismës, z. Fatmir Limaj, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Sead ef. Paqarizi, përfaqësues të Këshillit të BI-së së Malishevës, si dhe përfaqësues të këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, e cilësoi ndërtimin e kësaj xhamie si një vepër të rëndësishme për Malishevën, duke theksuar edhe pozitën e saj në qendër të qytetit.
“Dua t’ju uroj për këtë xhami që do ta shndrisë Malishevën. Xhamia kurrë s’ka qenë e afërt me radikalizmin. Xhamia dhe Islami janë paqe, janë mëshirë”, tha, ndër të tjera, Myftiu Tërnava.
Ai uroi që kjo vepër të përfundojë sa më shpejt dhe të jetë në shërbim të qytetarëve dhe besimtarëve të Malishevës, duke kontribuar në forcimin e vlerave të besimit, edukimit dhe solidaritetit në shoqëri.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Sead ef. Paqarizi, tha se me vendosjen e gurthemelit po fillon realizimi i një ëndrre të kahmotshme.
“Sot, në këtë truall, po i japim drejtim një ëndrre. Po vendosim pikën e parë të një vepre që nesër do të jetë qendër e faljes, mësimit, ndihmës dhe solidaritetit”, tha ai.
Edhe përfaqësuesit më të lartë të Komunës së Malishevës e vlerësuan këtë ditë si një moment të veçantë për qytetin dhe qytetarët e tij.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se fillimi i ndërtimit të xhamisë përbën një moment të rëndësishëm për komunitetin.
“Me kënaqësi po them se jemi bashkë dhe së bashku do të lutemi që të gjithë të na ndihmojnë dhe ta funksionalizojmë këtë xhami”, tha z. Kastrati.

Ndërkaq, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, e cilësoi këtë si një ditë të veçantë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për Malishevën. Në fjalën e tij, ai kujtoi edhe rolin dhe kontributin e madh të imamëve dhe institucioneve fetare në periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës, përfshirë kontributin në çlirimin dhe shtetndërtimin e vendit.
Ceremonia e gurthemelimit u shoqërua me thirrje për solidaritet dhe kontribut në realizimin e kësaj vepre. Të pranishmit theksuan rëndësinë e përfundimit të kompleksit, i cili krahas hapësirave për falje dhe adhurim, do të ketë edhe funksion edukativ e shoqëror, duke u vënë në shërbim të besimtarëve dhe qytetarëve të Malishevës.

Me vendosjen e gurthemelit të Xhamisë së Gurit, Malisheva shënoi kështu fillimin e një projekti që synon të ndërthurë adhurimin, edukimin dhe shërbimin ndaj komunitetit, duke u përcjellë brezave të rinj vlerat e besimit, dijes, paqes dhe solidaritetit.

Kliko ketu per videon e plote

Postime të Ngjashme