Die. Tet 11th, 2026

Trump shqyrton përfshirjen e SHBA-së në sulmet kundër Huthëve pas goditjes në aeroportin e Riadit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë që Shtetet e Bashkuara t’i bashkohen Arabisë Saudite në sulmet ushtarake kundër rebelëve Huthi në Jemen, pas një sulmi me raketë në Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid në Riad.

I pyetur nga gazetarët nëse Uashingtoni do të përfshihet drejtpërdrejt në operacionet ushtarake, Trump është përgjigjur se kjo mundësi po shqyrtohet, duke theksuar se vendimi do të merret shpejt.

“Është e mundur. Do ta shqyrtojmë. Sapo morëm vesh për sulmin e fundit, ndaj do të marrim një vendim shumë shpejt”, ka deklaruar Trump.

Sulmi në aeroportin e kryeqytetit saudit ka shkaktuar të paktën 12 viktima dhe 309 të plagosur, sipas autoriteteve saudite. Mes viktimave ka shtetas të disa vendeve, përfshirë edhe një shtetas amerikan.

Pas incidentit, operacionet në aeroport u pezulluan përkohësisht, ndërsa autoritetet nisën vlerësimin e dëmeve dhe të sigurisë së objektit.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka fajësuar rebelët Huthi për sulmin. Megjithatë, grupi nuk e ka marrë përgjegjësinë për goditjen e fundit.

Mundësia e përfshirjes së drejtpërdrejtë amerikane vjen në një kohë të përshkallëzimit të konfliktit në rajon, ku sulmet ndaj aeroporteve dhe infrastrukturës strategjike kanë shtuar shqetësimet për zgjerimin e luftës.

Trump ka thënë se administrata e tij po e vlerëson situatën, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë forme mund të marrë një përfshirje e mundshme ushtarake amerikane në operacionet kundër Huthëve.

Postime të Ngjashme