Die. Tet 11th, 2026

GLPS kërkon rishikimin e Projektligjit për Byronë: Ekziston rreziku i përballjes sërish me Kushtetuesen

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ngritur shqetësime lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke vlerësuar se ai përmban paqartësi juridike që mund të çojnë në kontestimin e tij të sërishëm në Gjykatën Kushtetuese.

Liridon Salihi, menaxher i projekteve dhe hulumtues në GLPS, ka deklaruar se projektligji, i cili është miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, nuk i ka adresuar plotësisht gjetjet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Sipas tij, para miratimit përfundimtar nevojitet një rishikim i thellë i përmbajtjes së projektligjit, veçanërisht për çështjet që lidhen me zbatimin retroaktiv, statusin juridik të Byrosë dhe garantimin e sigurisë juridike për qytetarët që mund t’i nënshtrohen procedurave të konfiskimit të pasurisë.

Salihi ka theksuar se një nga problemet kryesore është mungesa e qartësisë për periudhën kohore që do të përfshihet në verifikimin e pasurisë. Sipas tij, projektligji nuk përcakton në mënyrë të qartë se cilat kategori të zyrtarëve publikë do të jenë subjekt i këtyre procedurave.

Ai ka përmendur si çështje që kërkojnë sqarim zbatimin e ligjit për pasurinë nga viti 2008 e tutje, periudhën e dhjetë viteve të fundit dhe rastet kur zyrtarët kanë përfunduar ushtrimin e funksioneve publike para pesë vjetësh.

Një tjetër shqetësim, sipas GLPS-së, lidhet me statusin dhe organizimin e Byrosë, pasi projektligji nuk i përcakton mjaftueshëm qartë kriteret për zgjedhjen e drejtorit dhe anëtarëve të Komisionit Mbikëqyrës.

Salihi ka rikujtuar gjithashtu se dispozitat ligjore duhet të jenë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë çështjet që lidhen me ruajtjen e të dhënave financiare nga bankat dhe institucionet e tjera financiare. Ai ka vlerësuar se duhet të merren parasysh edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Duke folur për mundësinë e kontestimit të projektligjit, hulumtuesi i GLPS-së ka thënë se paqartësitë e mbetura krijojnë bazë për ta dërguar atë sërish në Gjykatën Kushtetuese, nëse nuk bëhen ndryshimet e nevojshme.

Ai ka kërkuar që Komisioni për Legjislacion dhe komisionet e tjera parlamentare t’i trajtojnë me seriozitet këto çështje para leximit të dytë, në mënyrë që ligji përfundimtar të jetë në përputhje me standardet kushtetuese dhe të garantojë të drejtat e qytetarëve.

Megjithatë, Salihi ka theksuar se krijimi i një mekanizmi për konfiskimin civil të pasurisë së pajustifikueshme është i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, por zbatimi i tij duhet të bëhet duke respektuar Kushtetutën dhe garancitë juridike.

Kuvendi i Kosovës e miratoi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në lexim të parë më 5 tetor 2026. Projektligji mori 81 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime.

Postime të Ngjashme