Të paktën 27 persona kanë humbur jetën në një zjarr që përfshiu një bar në Bangkok, tha kryeministri i Tajlandës.
Zjarrfikësit u thirrën në vendngjarje menjëherë pas mesnatës dhe zbuluan klientët që po iknin përmes derës së përparme të lokalit të mbuluar nga flakët, shkruan BBC, përcjell KosovaPress.
Pamjet e postuara në X tregojnë flakë që shpërthejnë nga bari ndërsa njerëzit vrapojnë jashtë, disa duke bërtitur dhe disa duke u rrëzuar. Të paktën dy persona duket se janë në flakë.
Kryeministri Anutin Charnvirakul u tha gazetarëve në vendngjarje se janë gjetur 27 trupa dhe të tjerë janë dërguar në spital. Shkaku i zjarrit është ende nën hetim, tha ai.
Kryeministri u tha gazetarëve se e kishte pyetur një muzikant, i cili po performonte kur filloi zjarri, se çfarë kishte ndodhur.
“Ai tha se pati një zjarr te çelësi i shkyçjes dhe pas kësaj gjërat ndodhën shumë shpejt. Pati shpërthime dhe të gjithë u përpoqën të iknin nga tymi dhe flakët.”
“Shumë prej tyre nuk arritën të dilnin sepse shkuan në pjesën e prapme të ndërtesës dhe u përpoqën të fshiheshin nga tymi dhe flakët në tualet, dhe aty gjetëm shumicën e trupave.”
Bari – i quajtur në vend si Rong Beer Na Lat Phrao – ndodhet në lagjen Chatuchak të Bangkokut. Është një restorant dhe vend argëtimi i njohur në zonë, raportoi gazeta tajlandeze Daily News.
ësohet se zjarrfikësit kanë arritur ta vënë flakën nën kontroll brenda rreth gjysmë ore.
Fotografitë nga brenda barit më pas e tregojnë atë plotësisht të djegur dhe të nxirë, me tavanin që po hiqet.
Një numër njerëzish janë ende të zhdukur, raportoi media tajlandeze Thairath .
Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje menjëherë pas mesnatës, thuhet se pasi një shofer që po kalonte aty pranë pa lokalin në flakë në orën 23:30 sipas kohës lokale.
Ai i tha Daily News se kërceu nga makina e tij dhe theu xhamat për të ndihmuar dy persona të shpëtonin.

