Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me sulmin me eksploziv në kanalin e “Ibër-Lepencit”, i cili ndodhi më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, vëllezërit Viçentijeviq, së bashku me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit trinitrotoluen (TNT) në brendësi të kanalit të “Ibër-Lepencit”.
Prokuroria pretendon se veprimi ishte kryer pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim frikësimin serioz të popullsisë dhe rrezikimin e rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kanali i “Ibër-Lepencit” përbën infrastrukturë të rëndësishme publike, pasi shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në prodhimin e energjisë elektrike.
Sulmi i 29 nëntorit 2024 shkaktoi dëmtime në këtë infrastrukturë jetike.
Me ngritjen e aktakuzës, tre të akuzuarit do të përballen me procedurat gjyqësore lidhur me rastin. Ata konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

