Pre. Kor 10th, 2026

Shkurorëzimet në rritje në Kosovë, ja në çfarë moshe ndahen më së shumti çiftet

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit për shkurorëzimet, të cilat tregojnë një rritje të lehtë të numrit të çifteve që i kanë dhënë fund martesës gjatë vitit 2025.

Sipas ASK-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 2.192 shkurorëzime, ose 46 raste më shumë krahasuar me vitin 2024, kur ishin evidentuar 2.146 shkurorëzime. Kjo paraqet një rritje prej 2,1 për qind.

Sipas komunave, numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në Prizren, me 192 raste (8,8%), i ndjekur nga Prishtina me 175 raste (8,0%) dhe Peja me 163 raste (7,4%).

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e shkurorëzimeve i përket çifteve që kishin qenë të martuar 5 deri në 9 vjet, me 627 raste, ose 28,6 për qind të numrit të përgjithshëm. Pas tyre renditen martesat me kohëzgjatje 10 deri në 14 vjet, me 297 raste (13,5%).

Sa i përket grupmoshave, numri më i madh i shkurorëzimeve te gratë është regjistruar në grupmoshën 25–29 vjeç, me 463 raste (21,1%), ndërsa te burrat dominon grupmosha 30–34 vjeç, me 464 raste (21,2%).

Postime të Ngjashme