Pre. Sht 18th, 2026

SHBA-ja ia refuzon vizën presidentit palestinez Abbas për samitin e OKB-së, për të dytin vit radhazi

Autoriteti Palestinez ka dënuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’ua refuzuar vizat presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, dhe dhjetëra zyrtarëve palestinezë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke shënuar vitin e dytë radhazi që Washingtoni ia pamundëson pjesëmarrjen Abbasit.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme palestineze e cilësoi vendimin si “masë të pajustifikuar”, duke thënë se ai bie ndesh me përpjekjet për të rindërtuar besimin, për të zhvilluar marrëdhëniet palestinezo-amerikane dhe për të krijuar klimën e nevojshme politike për zgjidhjen me dy shtete.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se zyrtarët palestinezë, përfshirë Abbasin, nuk i kanë përmbushur zotimet e tyre sipas marrëveshjeve të mëparshme për të kërkuar paqe me Izraelin.

Sipas SHBA-së, kufizimet lidhen me pretendimin se zyrtarët palestinezë nuk kanë ndërmarrë reformat e kërkuara dhe se aktivitetet e tyre vazhdojnë të dëmtojnë perspektivat për paqe.

Refuzimi nuk prek vetëm Abbasin, por edhe dhjetëra zyrtarë të tjerë palestinezë që planifikonin të udhëtonin në New York.

Megjithatë, palestinezët do të përfaqësohen në takimin e nivelit të lartë përmes diplomatëve të akredituar në OKB. Abbas pritet që, sikurse vitin e kaluar, t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme përmes videolidhjes.

Asambleja e Përgjithshme pritet të votojë një masë që do t’i mundësonte Abbasit pjesëmarrjen në distancë.

Vendimi amerikan vjen në një moment kur disa shtete pritet të njohin shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të këtij viti. Në vitin 2025, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Luksemburgu, Belgjika, Portugalia, Malta dhe Kanadaja e njohën zyrtarisht Palestinën, shkruan Euronews.

Postime të Ngjashme