Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e ka cilësuar provokim të rëndë vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë, duke kërkuar sqarime nga institucionet për mënyrën e hyrjes së tyre në vend.
Ramadani ka deklaruar se politikanët nga Serbia nuk duhet të lejohen të hyjnë në Kosovë për të nxitur provokime apo për të fyer institucionet shtetërore.
“Provokim i rëndë i serbëve nga Serbia, duhet të qartësohet si hynë në Kosovë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, përkatësia politike e vizitorëve nuk e ndryshon nevojën për kontroll dhe përgjegjësi institucionale.
“Pavarësisht nëse janë nga Lista e Studentëve, e Vuçiqit, Daçiqit, Vulinit apo dreqit e të birit, politikanët e Serbisë nuk guxon të lejohen të futen në Kosovë për të nxitur e provokuar, fyer e ofenduar shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka përshëndetur vendimin e Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për të kërkuar informacione me shkrim nga ministri i Punëve të Brendshme lidhur me këtë vizitë.
“Është mirë që sot Komisioni Parlamentar për Siguri vendosi t’i kërkojë informatë me shkrim Ministrit të Punëve të Brendshme rreth kësaj. Si anëtar i këtij Komisioni, besoj që saktësia në këtë informim duhet të jetë e plotë”, ka theksuar ai.
Ramadani ka shtuar se llogaridhënia e Qeverisë për këtë çështje është e domosdoshme.
Vizita e Listës Studentore të Serbisë ishte temë diskutimi edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku u ngritën pyetje nëse përfaqësuesit e saj kishin marrë leje nga institucionet kompetente për të hyrë në Kosovë.

