Mar. Nën 10th, 2026

​ Kurti në Paris: Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës duhet të trajtohen dhe rehabilitohen

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se, krahas dënimit të kriminelëve të luftës, është jetike të sigurohet trajtimi dhe rehabilitimi i viktimave të dhunës seksuale.

Gjatë pjesëmarrjes në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, në Forumin e Paqes në Paris, Kurti ka thënë se në Kosovë janë rreth 20 mijë gra viktima të dhunës seksuale, të cilën e ka cilësuar si armë lufte të përdorur nga aparati shtetëror i Serbisë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në panelin e mbajtur më 10 nëntor, Kurti ka diskutuar për rindërtimin e shoqërive pas luftës, rëndësinë e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Ai ka theksuar se demokracia dhe zhvillimi nuk duhet të sakrifikohen në emër të stabilitetit, ndërsa qytetarët duhet të jenë përfituesit kryesorë të politikave shtetërore.

Duke folur për ekonominë e Kosovës, Kurti ka deklaruar se rritja e Bruto Produktit Vendor gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ishte 5.4%, ndërsa në të dytin 4.1%.

Kryeministri ka vlerësuar se infrastruktura është platformë për zhvillim, duke theksuar rëndësinë e arsimit cilësor dhe lidhjen e tij me ekonominë.

Ai ka përmendur edhe zvogëlimin e diferencës ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët, duke pretenduar se raporti ka ndryshuar nga 20 me 1, para qeverisjes së tij, në 4 me 1 aktualisht.

Në panel mori pjesë edhe Carlo Monticelli, guvernator i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës.

Diskutimi u përqendrua në sfidat e rindërtimit të shoqërive pas konflikteve dhe në rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm për ruajtjen e paqes.

Postime të Ngjashme