Pre. Maj 22nd, 2026

Rama: Thanë u bllokuam, por Shqipëria fitoi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke deklaruar se më 26 maj në Bruksel do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila sipas tij do të vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.

Në postimin në Facebook, Rama ka kritikuar opozitën, duke thënë se “thanë negociatat u bllokuan” dhe se Shqipëria u “ndëshkua”, ndërsa sipas tij zhvillimet e fundit dëshmojnë të kundërtën.

Postimi i Plotë:

MIRËMËNGJES

Thanë negociatat u bllokuan.
Thanë Shqipëria u ndëshkua.
Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.

U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.

Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi

Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton

Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE

Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik

Forca Shqipëria

Postime të Ngjashme