Enj. Nën 12th, 2026

Punëtorët e KEK-ut sot në protestë, kërkojnë rritje pagash dhe pagën e 13-të

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë sot, duke kërkuar paga më të dinjitetshme dhe përmirësim të kushteve të punës.

Protesta, e organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut (SRKEK), do të nisë në orën 11:00, para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues në Toskanë.

Sipas sindikatës, vendimi për protestë vjen pas mungesës së përgjigjes pozitive nga menaxhmenti dhe Bordi Drejtues ndaj kërkesave të paraqitura më herët nga përfaqësuesit e punëtorëve.

Në komunikatën e nënshkruar nga kryetari i sindikatës, Xhelal Jashari, thuhet se punëtorët e KEK-ut përballen çdo ditë me kushte të vështira dhe të rrezikshme pune në miniera dhe termocentrale, duke qenë të ekspozuar ndaj pluhurit, temperaturave ekstreme dhe rreziqeve të tjera.

Sindikata vlerëson se punëtorët nuk kompensohen financiarisht në mënyrë të dinjitetshme për punën dhe rrezikshmërinë me të cilën përballen.

Kërkesat kryesore përfshijnë caktimin e pagave të dinjitetshme për të gjithë punonjësit, ekzekutimin e pagës së 13-të, përmirësimin e kushteve të punës dhe vlerësimin e rrezikshmërisë në vendin e punës.

SRKEK u ka bërë thirrje punonjësve të të gjitha divizioneve, përfshirë DPQ-në, termocentralet Kosova A dhe Kosova B, si dhe Sigurinë Fizike, që t’i bashkohen protestës.

“Nuk kërkojmë lëmoshë e as privilegje, por dinjitetin që na takon për punën që bëjmë. Nesër nuk dalim për inat të askujt, por për veten dhe familjet tona”, thuhet në komunikatën e sindikatës, të lëshuar para protestës.

Postime të Ngjashme