Enj. Nën 12th, 2026

Ligji për Specialen rikthehet sot në Kuvend, komisioni shqyrton vendimin e presidentes

Komisioni për Legjislacion do të shqyrtojë sot vendimin e presidentes Justina Shiroka-Pula për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit pritet të nisë në orën 09:30.

Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë vendimin e presidentes për kthimin në rishqyrtim të Ligjit nr. 11/L-001, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndryshimet ligjore ishin miratuar më parë nga Kuvendi i Kosovës, por presidentja Shiroka-Pula e ktheu ligjin për rishqyrtim pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ishte edhe nismëtare e tyre.

Sipas Presidencës, kërkesa e PDK-së lidhej veçanërisht me dispozitat që kanë të bëjnë me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

PDK-ja ka sqaruar se kthimi i ligjit në Kuvend nuk nënkupton nisjen e procedurave nga fillimi, por rishqyrtimin dhe plotësimin e dispozitave të caktuara, me qëllim të forcimit të sigurisë juridike dhe shmangies së pengesave të mundshme gjatë zbatimit.

Sipas kësaj partie, synimi është që ligji të finalizohet dhe të hyjë në fuqi, ndërsa ka shprehur pritjen që ai të miratohet sërish brenda 4 javësh.

Mbledhja e sotme e Komisionit për Legjislacion pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm të shqyrtimit të ndryshimeve ligjore.

Postime të Ngjashme