Përplasja rreth Gjykatës Kushtetuese të Polonisë nisi në vitin 2015, kur dy kampet kryesore politike, PO dhe PiS, u përplasën për emërimin e pesë gjyqtarëve.
Me kalimin e viteve, konflikti u shndërrua në një krizë më të gjerë që lidhet me pavarësinë e drejtësisë, përbërjen e gjykatës dhe vlefshmërinë e vendimeve të saj.
Pas ardhjes në pushtet në vitin 2023, koalicioni i Donald Tusk nisi përpjekjet për të zhbërë reformat gjyqësore të miratuara nga qeveria e mëparshme e PiS.
Kriza hyri në një fazë të re në vitin 2026, kur presidenti Karol Nawrocki refuzoi të pranonte betimet e disa gjyqtarëve të zgjedhur nga parlamenti.
Tensionet arritën kulmin të premten, jashtë selisë së Gjykatës Kushtetuese, ku të dyja palët kundërshtuan legjitimitetin e njëra-tjetrës.
Viti 2015: Pesë gjyqtarë dhe dy emërime rivale
Kriza nisi në qershor të vitit 2015, kur koalicioni qeverisës PO-PSL ndryshoi ligjin për t’i mundësuar parlamentit zgjedhjen e pesë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese përpara zgjedhjeve të tetorit.
Më 8 tetor, parlamenti zgjodhi pesë gjyqtarë, por presidenti i atëhershëm Andrzej Duda refuzoi të pranonte betimet e tyre.
Pas fitores së PiS në zgjedhje, parlamenti i ri i shpalli të pavlefshme emërimet e mëparshme dhe zgjodhi pesë kandidatë të tjerë më 2 dhjetor.
Këtë herë, Duda i pranoi betimet.
Megjithatë, një ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese vendosi se tri nga pesë emërimet e parlamentit të mëparshëm ishin kushtetuese, ndërsa dy të tjerat jo.
Kështu, tri vendet konsideroheshin tashmë të plotësuara ligjërisht, duke vënë në pikëpyetje emërimet e mëvonshme të PiS.
Tre gjyqtarët e emëruar nga kjo parti u cilësuan si gjyqtarë zëvendësues.
Vitet 2016–2023: Ndryshimet që ngritën pikëpyetje për pavarësinë e gjykatës
Pas ardhjes në pushtet, PiS ndryshoi rregullat e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë procedurat e shqyrtimit të çështjeve dhe mënyrën e votimit.
Në mars 2016, gjykata i shpalli këto ndryshime jokushtetuese, por qeveria refuzoi publikimin e vendimit, duke argumentuar se ishte marrë në kundërshtim me procedurat.
Konflikti u thellua me emërimin e Julia Przyłębskës në krye të gjykatës në dhjetor 2016.
Kritikët pretendonin se reformat kishin cenuar pavarësinë e drejtësisë dhe kishin vënë institucionin nën kontroll politik. PiS, nga ana tjetër, këmbëngulte se po reformonte sistemin e drejtësisë.
Çështja arriti edhe në gjykatat evropiane. Në vitin 2021, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi se përbërja e Gjykatës Kushtetuese polake nuk përmbushte kriterin e një gjykate të krijuar në përputhje me ligjin.
Vitet 2024–2025: Qeveria e Tuskut tenton të ndryshojë reformat
Pas zgjedhjeve të vitit 2023, koalicioni i Donald Tuskut e vendosi rikthimin e sundimit të ligjit ndër prioritetet kryesore.
Në mars 2024, parlamenti miratoi një rezolutë që vinte në pikëpyetje statusin e tre gjyqtarëve të emëruar nga PiS dhe autoritetin e drejtueses së atëhershme të gjykatës.
Më pas u propozuan dy projektligje për ndryshimin e mënyrës së emërimit të gjyqtarëve dhe funksionimit të institucionit.
Presidenti Andrzej Duda i dërgoi të dyja për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke penguar hyrjen e tyre në fuqi.

