Qeveria e Kosovës ka prezantuar dhe miratuar sot projektbuxhetin për vitin 2027 prej 4,27 miliardë eurosh.
Kryeministri Albin Kurti tha se projektbuxheti 2027 është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për 2026 dhe 300 milionë më i lartë se sa buxheti bazë i vitit 2026.
Kurti shtoi se nga ky buxhet, 908 milionë euro do të shkojnë si financim direkt për komunat.
“Në buxhetin që po e prezantojmë sot për vitin 2027, ATK-ja parashihet të mbledhë sa 60 për qind e të hyrave që do të mbledhë dogana. Sivjet, përkundër sfidave me të cilat po ballafaqohemi edhe ne krahas gjithë botës, rritja ekonomike ka shënuar nivelet prej 5,4 dhe 4,1 për qind për tremujorin e parë dhe tremujorin e dytë. Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Për vitin 2027, buxheti i projektuar parasheh nivelin prej 4,27 miliardë euro ose 200 milionë euro më shumë se buxheti i rishikuar për 2026 dhe për 300 milionë euro më i lartë se sa buxheti bazë i vitit 2026. Nga ky buxhet, 908 milionë euro do të shkojnë si financim direkt për komunat. Ky është buxhet rekord edhe për komunat e Kosovës dhe kjo rritje vjen si rezultat I rritjeve të vazhdueshme të granteve qeveritare”, tha Kurti. Pas miratimit, projektligji duhet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

