Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas konfirmimit zyrtar të pranisë së aflatoksinave mbi kufijtë e lejuar në tregun e Kosovës, duke thënë se këtë skandal e kishte paralajmëruar më 22 tetor në emisionin “Context” me Leart Hoxhën në ATV.
“Me datë 22 tetor, në emisionin Context me Leart Hoxhën në ATV e paralajmërova me saktësi këtë super skandal. Sot, ajo që ne paralajmëruam doli e vërtetë, pikë për pikë!”, ka shkruar Gjini.
Ai ka theksuar se aflatoksinat janë substanca tejet toksike, të cilat jo vetëm që rrezikojnë kafshët, por mund të kalojnë edhe në qumësht, duke kërcënuar shëndetin e fëmijëve dhe familjeve.
Gjini ka thënë se Aleanca në vazhdimësi ka alarmuar qytetarët për skandalet e njëpasnjëshme të Qeverisë, duke e cilësuar rastin si dëshmi të neglizhencës ndaj sigurisë ushqimore.
“Kjo që po ndodhë është pasqyrë e një pushteti që neglizhon sigurinë tonë kombëtare dhe ushqimore”, ka deklaruar ai.
Në fund, kryetari i Aleancës ka kërkuar mbrojtje dhe llogaridhënie për qytetarët e Kosovës, duke kritikuar Qeverinë për mungesë reagimi përballë skandaleve që rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve.

