Ardhja e Justina Shiroka Pulës në krye të shtetit po sjell ndryshime edhe në ambientet e Presidencës.
Në këtë kuadër, edhe holli i Presidencës pritet të marrë një pamje të re, për çka Zyra e Presidentit ka iniciuar furnizimin me perde të reja.
Presidenca ka nënshkruar kontratë për furnizim me perde për hollin e Presidencës, në vlerë prej 985 eurosh, raporton IndeksOnline.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit është iniciuar më 2 nëntor 2026, ndërsa tenderët janë hapur një ditë më pas.
Kontrata është nënshkruar më 4 nëntor me operatorin ekonomik N.T.P. “GJINI”. Në këtë procedurë është pranuar vetëm një tender, i cili është vlerësuar si i përgjegjshëm.
Vlera e parashikuar e kontratës ishte 990 euro, ndërsa kontrata përfundimtare është nënshkruar për 985 euro, me kriterin e çmimit më të ulët.
