Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar një takim me zëvendësministren e Brendshme të Lituanisë, Ana Burkovskiene, në margjina të Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, që po mbahet në Budvë.
Sveçla ka shprehur mirënjohje për kontributin e Lituanisë në misionin paqeruajtës të KFOR-it, përmes pjesëmarrjes së trupave të saj ushtarake.
Ai ka theksuar se Lituania vazhdon të jetë përkrahëse e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Theksuam se përballemi me sfida të përbashkëta të sigurisë dhe biseduam për mundësitë e bashkërendimit të përpjekjeve për t’i adresuar dhe tejkaluar ato”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Në fokus të diskutimit ishte edhe Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilën Lituania pritet ta marrë më 1 janar 2027.
Sipas Sveçlës, kjo periudhë mund të krijojë mundësi të reja për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë.

