Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka vlerësuar se pjesëmarrja e përfaqësuesve të autoriteteve serbe në funeralin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, Ratko Mladiq, nuk është një çështje e parëndësishme.
Sipas tij, pjesëmarrja e zyrtarëve të Beogradit në funeral do të tregojë shkallën e identifikimit të autoriteteve serbe me krimet për të cilat Mladiqi është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Në një reagim në platformën X, Picula tha se “sulmet toksike” ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës konfirmojnë qëndrimin e njohur të regjimit në Beograd, sipas të cilit Mladiqi paraqitet si një viktimë e pafajshme e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë.
Picula theksoi se Bashkimi Evropian duhet të reagojë në mënyrë adekuate ndaj deklaratave të tilla, duke rikujtuar se pasojat e luftërave të viteve ’90 vazhdojnë të jenë të pranishme në rajon.
“Reagimi i BE-së duhet të jetë adekuat, sepse pasojat e agresionit të Serbisë së Madhe kundër Republikës së Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës në vitet 1990 ende nuk janë absorbuar”, deklaroi Picula.

