Die. Tet 4th, 2026

PDK mbledh drejtuesit e saj, në fokus Specialja dhe zgjedhja e presidentit

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupi Parlamentar i kësaj partie do të zhvillojnë sot një takim të përbashkët në selinë e PDK-së në Prishtinë.

Mbledhja është caktuar të nisë në orën 14:00 dhe pritet të jetë në fokus zhvillimet e fundit politike, veçanërisht çështja e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale dhe procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Takimi vjen pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti, të cilat nuk kanë prodhuar ende një marrëveshje për mënyrën se si do të ecet përpara me këto dy çështje.

Pika kryesore e mospajtimit lidhet me renditjen e hapave. Propozimi i Kurtit parasheh që projektligji për Specialen të kalojë fillimisht në lexim të parë, më pas të procedohet zgjedhja e presidentit dhe vetëm në fund të votohet leximi i dytë i projektligjit.

Kjo qasje nuk është pranuar nga PDK-ja, e cila kërkon që ndryshimet në ligjin për Specialen të miratohen përfundimisht para se të procedohet me zgjedhjen e presidentit.

Pas takimit të sotem pritet të bëhet më e qartë nëse PDK-ja do të ketë një qëndrim të ri lidhur me këtë çështje dhe nëse do të ketë mundësi për zhbllokimin e procesit institucional.

Postime të Ngjashme