Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar të hënën në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kjo nismë ligjore vjen pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, aktgjykim që spektri politik dhe qytetarët e kanë kundërshtuar dhe cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media, ka theksuar se Gjykata Speciale është themeluar për të hetuar pretendimet e raportit të Dick Martyt, prandaj ajo duhet t’i kthehet mandatit mbi të cilin është krijuar.
Ai tregoi në detaje se çka synon të ndryshojë ligji, derisa shtoi se Kuvendi duhet ta ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duke shqyrtuar me seriozitet dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Këto janë ndryshimet që po i kërkon PDK-ja në ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë
“Kuvendi ka përgjegjësi të rishikojë ligjin kur konsideron se ai nuk pasqyron qëllimin për të cilin është miratuar. Projektligji e bën këtë, pasi kërkon që akuzat të kenë një lidhje konkrete me pretendimet për të cilat është krijuar kjo gjykatë. Jo një lidhje të përgjithshme dhe jo interpretime të pafundme. Jo zgjerim të mandatit vetëm pse një ngjarje ka ndodhur gjatë luftës. Duhet të ketë një lidhje të qartë me misionin për të cilin është krijuar ky mekanizëm. Projektligji parashikon se, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, të transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialet e tij. Drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku ligji thotë dhe duhet të vazhdojë. Me këtë projektligj është trajtuar edhe llogaridhënia. Gjatë viteve, Dhomat e Specializuara kanë funksionuar larg Kosovës dhe, për shkak të modelit të tyre institucional, me një shkallë pavarësie nga institucionet e Kosovës. Vetë Dhomat e përshkruajnë veten si institucione të pavarura nga institucionet e Kosovës. Projektligji propozon që organizata ndërkombëtare profesionale të mund të autorizohen për të monitoruar punën e tyre. Jo për të ndërhyrë në aktgjykime, por për të parë nëse respektohen të drejtat e njeriut, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit, mbrojtja e dëshmitarëve dhe kohëzgjatja e proceseve. Pastaj këto organizata të raportojnë para Kuvendit dhe para publikut”, tha Hamza.
Sipas tij, përmes këtij plotësim-ndryshimi, Gjykata Speciale nuk shuhet, por i rikthehet mandati për të cilin është krijuar.
Hamza: Gjykata Speciale nuk shuhet përmes ndryshimit të ligjit
“Dhomat e Specializuara nuk mbyllen, por rikthehet mandati për të cilin është krijuar. Projektligji nuk e shuan Gjykatën Speciale. Ai përcakton që të merret me pretendimet konkrete për të cilat është krijuar dhe lidhet me raportin e Dick Martyt. Për krimet e tjera të luftës dhe veprat që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ato pretendime, përgjegjësinë e marrin institucionet e drejtësisë të Kosovës. Asnjë rast nuk mbyllet vetëm pse del jashtë mandatit të Speciales. Nëse një rast nuk i përket juridiksionit të saj, ai transferohet në Kosovë. Projektligji nuk krijon boshllëk në drejtësi”, potencoi Hamza.
Ai kërkoi përkrahjen e grupeve të tjera parlamentare në Kuvend për të ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Për një gjë të tillë, ai, Hamza, tha se ka biseduar edhe me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini.
Hamza: Kërkoj përkrahjen e LVV-së, LDK-së dhe Aleancës për të ndryshuar ligjin për Specialen
“Kam biseduar me kryetarët e tri subjekteve të tjera politike: LVV-së, LDK-së dhe Aleancës. Jam i bindur se ekziston arsye e plotë që ky ligj të ketë përkrahjen me votë të këtyre subjekteve politike. U bëj thirrje publike që të na përkrahin me këtë iniciativë ligjore”, theksoi Hamza.
I pyetur për tërheqjen e lëndës së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, Hamza tha se çështja e ndryshimit të ligjit për Specialen është prioritet mbi të gjitha të tjerat.
Mirëpo, tha se kërkon garanca përmes fjalës publike se do të përkrahet ky ligj.
A do ta tërheqë PDK-ja lëndën e dorëzuar në Kushtetuese, ja përgjigjja e Hamzës
“Ne kërkojmë garanca. Garanca nënkupton fjalën publike se ky ligj do të jetë i përkrahur. Për PDK-në nuk ka prioritet më të madh sesa trajtimi i kësaj çështjeje. Në raport me këtë çështje, të gjitha prioritetet e tjera kalojnë në nivele më të ulëta”, theksoi ai.
Hamza ritheksoi se do të vazhdojnë të ndjekin çdo rrugë demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve të drejtësisë në të gjitha fazat e mëtejshme të procesit.
Gjykata Speciale më 16 shtator ka dënuar me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. /KosovaPress/

