Shqipëria ka bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt rikthimit në Ligën B të Ligës së Kombeve, pasi ka triumfuar 2:0 ndaj Finlandës në stadiumin “Air Albania”, në kuadër të xhiros së pestë të Grupit C1.
Ky rezultat ka ndryshuar ndjeshëm situatën në tabelën e klasifikimit, ku kuqezinjtë tashmë janë shkëputur në krye me 12 pikë, duke lënë pas Bjellorusinë me 10 pikë.
Finlanda renditet e treta me shtatë pikë, ndërsa San Marino mbetet në fund të tabelës pa pikë.
Fitorja ndaj finlandezëve ishte veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë, e cila kishte pësuar humbje 2:1 në përballjen e parë mes këtyre dy përfaqësueseve.
Në ndeshjen e së enjtes, Ernest Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 35-të, ndërsa Rey Manaj dyfishoi epërsinë në minutën e 50-të. Finlanda mbeti edhe me një lojtar më pak në minutën e 68-të, pas përjashtimit të Tenho-s.
Tashmë, gjithçka do të vendoset në ndeshjen e fundit, ku Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë më 15 nëntor, në një takim që përcakton edhe fituesin e grupit.
Shqipërisë i mjafton edhe një barazim për ta siguruar vendin e parë dhe promovimin direkt në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Në rast të humbjes, kuqezinjtë do ta përfundojnë grupin në vendin e dytë dhe do të duhet të luajnë në plejof për promovim.
Kështu, Shqipëria është shumë pranë objektivit, por për ta mbyllur me sukses këtë edicion, do t’i duhet të marrë të paktën një pikë në përballjen vendimtare me Bjellorusinë.

