Enj. Tet 29th, 2026

Paga e 13-të, Murati: Punëtorët e RTK-së nuk janë në listën e Thesarit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës nuk përfitojnë nga vendimi për pagën e 13-të, pasi nuk janë pjesë e listës së pagave që ekzekutohet nga Thesari i shtetit.

Këtë përgjigje Murati e dha në seancëm e sotme të Kuvendit të Kosovës, pas pyetjes së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila kërkoi sqarime për mosrealizimin e pagës së 13-të për punëtorët e transmetuesit publik.

“Vendimi i marrë në qeveri parasheh pagën e 13-të për të gjithë punonjësit që marrin pagë nga buxheti i shtetit, pra që janë në llogarinë apo në listën e pagave që ekzekutohen nga Thesari. Në këtë rast punëtorët e RTK-së nuk janë pjesë e listës së pagave që ekzekutohen nga Thesari, sepse nuk janë organizatë buxhetore”, tha Murati.

Ai theksoi se RTK-ja është entitet i veçantë juridik dhe se financimi i transmetuesit publik rregullohet nga kuvendi.

“Çështja e buxhetit apo pagesave të punëtorëve të RTK-së i takon RTK-së. Pra, është entitet i veçantë juridik, nuk është pjesë e ndarjeve buxhetore apo pjesë si organizatë buxhetore në ligjin e buxhetit”, deklaroi ministri.

Sipas Muratit, në mungesë të një buxheti ose forme të përcaktuar financimi nga kuvendi, qeveria ka vazhduar ta subvencionojë RTK-në, ndërsa menaxhmentit të transmetuesit publik i takon të vendosë për ndarjen e mjeteve.

“Qeveria ndan shumën totale si subvencion, ndërkaq RTK-ja menaxhon dhe përcakton se cila pjesë apo sa prej asaj shume shkon në paga, sa prej asaj shume shkon në shpenzime të tjera operacionale dhe sa prej asaj shume shkon edhe në investime në pajisje”, tha Murati.

Musliu e kundërshtoi këtë arsyetim, duke thënë se punëtorët e RTK-së paguhen nga taksat e qytetarëve dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me punëtorët e tjerë të sektorit publik.

“Arsyetimi yt është i pavend, sepse edhe punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës paguhen prej taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës si të gjithë punëtorët e tjerë ose shërbyesit e tjerë civilë. Prandaj është e padrejtë që të thoni që ata paguhen me pare të tjera dhe jo me pare të buxhetit të shtetit”, tha Musliu.

Ajo shtoi se do të kërkojë llogari nga menaxhmenti i RTK-së lidhur me mosrealizimin e pagës së 13-të për punëtorët.

“Meqë jam pjesë e komisionit parlamentar që i trajton këto çështje, unë do të merrem edhe me menaxhmentin e Radiotelevizionit të Kosovës dhe do të kërkoj përgjegjësi dhe llogari prej tyre pse punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës diskriminohen nga paga e 13-të”, përfundoi Musliu.

Postime të Ngjashme