Mër. Tet 21st, 2026

Netflix sjell në ekran jetën e aktorit Matthew Perry

“The One About Matthew Perry” po vjen në Netflix, me një seri dokumentar trepjesësh që do të trajtojë gjithçka rreth jetës dhe karrierës së aktorit të dashur, Matthew Perry. Pritet që motra e tij, Mia Perry Bowick, do të jetë zëri kryesor i kësaj serie.

“Më ka marr kohë derisa u ndjeva gati për t’i ndarë këto kujtime dhe për të treguar se si ishte ta doje Matthew-n përmes gjithë kompleksitetit të jetës së tij, ta shihje si një person të plotë, jo thjesht si Chandler dhe jo vetëm si dikë që luftonte me varësinë,” tha Mia në një deklaratë, shkruajnë mediat ndërkombëtare, transmeton KosovaPress.

Ajo u shpreh se ky serial mund t’u japë të gjithëve ata që e kanë dashur, qoftë personalisht apo nga larg, një vlerësim më të thellë për atë që ai ishte vërtet dhe për trashëgiminë që la pas.

Është konfirmuar se në dokumentar do të flasin dhe shumë bashkëpunëtorë dhe miq të afërm të të ndjerit, ku do të përfshihen edhe fotografi e video të pa publikuara nga arkivi privat i familjes.

Perry, i njohur më së miri si Chandler në serialin komedi ‘Friends’, u nda nga jeta papritmas tetorin e vitit 2023 në xhakuzin e shtëpisë së tij në Los Angeles, ndërsa autoritetet konstatuan se vdekja e tij u shkaktua nga efektet akute të ketaminës.

Sipas njoftimit të Netflix, dokumentari do ta ketë premierën më 27 tetor të këtij viti.

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.