Mar. Tet 20th, 2026

Japonia nis misionin historik drejt Marsit, synon të sjellë mostra nga njëra prej hënave të tij

Japonia ka nisur një mision historik hapësinor drejt Marsit, me synimin që për herë të parë të sjellë në Tokë mostra nga njëra prej hënave të planetit të kuq.

Anija hapësinore MMX (Martian Moons eXploration) u lëshua të martën nga Qendra Hapësinore Tanegashima në Japoni, me raketën H3.

Sipas Associated Press, autoritetet japoneze konfirmuan se nisja ishte e suksesshme, pasi anija u nda nga raketa sipas planit.

Misioni, i udhëhequr nga Agjencia Japoneze e Kërkimeve Hapësinore (JAXA), synon të eksplorojë dy hënat e Marsit, Phobos dhe Deimos.

Objektivi kryesor është mbledhja e të paktën 10 gramëve material nga sipërfaqja e Phobosit dhe kthimi i tyre në Tokë në vitin 2031.

Anija hapësinore pritet të arrijë në afërsi të Marsit në gusht të vitit 2027.

Në kuadër të misionit do të përdoret edhe roboti Idefix, i zhvilluar nga agjencitë hapësinore të Francës dhe Gjermanisë. Ai pritet të zbresë në sipërfaqen e Phobosit në fund të vitit 2028 ose në fillim të vitit 2029.

Roboti do të studiojë terrenin dhe do të ndihmojë në identifikimin e vendeve të përshtatshme për mbledhjen e mostrave.

Shkencëtarët shpresojnë se materiali i mbledhur do të ndihmojë në zgjidhjen e një prej mistereve të Sistemit Diellor: mënyrës se si janë formuar dy hënat e Marsit.

Sipas teorive shkencore, ato mund të jenë krijuar nga mbetjet e një përplasjeje të madhe me Marsin ose mund të jenë asteroidë të kapur nga graviteti i planetit.

Misioni, me vlerë rreth 578 milionë dollarë, realizohet në bashkëpunim me disa agjenci ndërkombëtare, përfshirë NASA-n dhe Agjencinë Evropiane të Hapësirës.

Nëse përfundon me sukses, MMX do të jetë misioni i parë që sjell në Tokë mostra nga një hënë e Marsit. /KosovaPress/

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.