Nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, sot, në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë është hapur sot ekspozita “Origjina e numrave” e piktorit Urim Berisha. Piktori Berisha përmes kësaj ekspozite paraqet numrat me një gjuhë artistike, duke mos i lënë ata vetëm si shifra për të llogaritur e as vetëm si forma gjeometrike thjesht për t’u parë.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, në hapje të kësaj ekspozite vlerësoi ndërthurjen e artit me matematikën dhe rëndësinë e dijes në kuptimin e botës.
“Nga ky takim ndërmjet artit dhe matematikës del një mesazh i rëndësishëm: dija dhe ndjeshmëria njerëzore duhet të ecin së bashku. Shkenca na ndihmon të zbulojmë dhe të shpjegojmë, ndërsa arti na nxit të reflektojmë mbi kuptimin dhe përgjegjësinë që shoqërojnë zbulimet tona” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Përmes numrave, trekëndëshave, katrorëve, rrathëve dhe lojës së ngjyrave, Berisha sjell një interpretim artistik të harmonisë që fshihet pas formave dhe simboleve. Frymëzimin e gjen te trashëgimia e qytetërimeve të lashta, kontributi i matematikanit të njohur El Hvarizmi dhe ornamentika e arkitektura islame.
Në veprat e tij, matematika dhe arti takohen në një hapësirë ku saktësia e numrave ndërthuret me imagjinatën, ndërsa format gjeometrike marrin kuptime që shkojnë përtej pamjes së tyre.
Përmes perspektivës, ngjyrave dhe ndërthurjes së simboleve, artisti e fton vizitorin të reflektojë mbi atë që shihet dhe atë që mbetet e padukshme, duke kërkuar lidhjen mes racionalitetit dhe shpirtërores.


