Avokati i Popullit ka reaguar ndaj deklaratës së Speciales, duke theksuar se, Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës është themeluar me Kushtetutë dhe ka mandat të përgjithshëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
Në komunikatë thuhet edhe se, përgjegjësia ekskluzive që i është caktuar Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë bazuar në kornizën përkatëse kushtetuese dhe ligjore nuk nënkupton, përjashtim të kompetencës së Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës për t’u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.
‘’Qëndrimi i Avokatit të Popullit është se ekzistenca e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk e shuan, në vetvete, mandatin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës. Përfshirja e më shumë institucioneve në mbrojtjen e të drejtave të njeriut kontribuon në ruajtjen e vlerave evropiane dhe në garantimin e pluralizmit si parim themelor i një shoqërie demokratike. Për rrjedhojë, Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës e ruan mandatin e tij të përgjithshëm kushtetues për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut lidhur me ushtrimin e autoritetit publik, brenda rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Komunikata:
Reagim lidhur me deklaratën e Dhomave të Specializuara të Kosovës të datës 13 tetor 2026
Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës, në lidhje me deklaratën publike të Dhomave të Specializuara të Kosovës të datës 13 tetor 2026, të titulluar “Deklaratë e Dhomave të Specializuara të Kosovës: Ftesa nga Avokati i Popullit i Kosovës për Tryezë të Rrumbullakët”, konsideron të nevojshme të sqarojë qëndrimin e tij lidhur me mandatin kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Avokati i Popullit thekson se deklarata e Dhomave të Specializuara është publikuar në të njëjtën ditë kur ato e kanë pranuar përgjigjen zyrtare të Avokatit të Popullit, drejtuar Kryetares së Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trendafilova, në të cilën janë paraqitur argumentet juridike lidhur me mandatin dhe kompetencat e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Për transparencë dhe informim të drejtë të publikut, Institucioni i Avokatit të Popullit sqaron se në letrën zyrtare të datës 13 tetor 2026, drejtuar Kryetares së Dhomave të Specializuara, në të cilën janë shtjelluar qëndrimet dhe argumentet juridike të Institucionit lidhur me këtë çështje, ndër të tjera i ka rikujtuar Dhomave të Specializuara se:
Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës është themeluar me Kushtetutë dhe ka mandat të përgjithshëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Ushtrimi i këtij mandati duhet të vlerësohet në përputhje me Kushtetutën dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat janë pjesë përbërëse e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në këtë kontekst, vlerëson se përgjegjësia ekskluzive që i është caktuar Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë bazuar në kornizën përkatëse kushtetuese dhe ligjore nuk nënkupton, në vetvete, përjashtim të kompetencës së Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës për t’u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara. Sipas vlerësimit tim, një interpretim i tillë do të ngatërronte dy koncepte të dallueshme juridike: ‘përgjegjësinë ekskluzive’ dhe ‘kompetencën ekskluzive’.
Përgjegjësia ekskluzive duhet kuptuar, para së gjithash, si detyrim i posaçëm institucional i Zyrës së caktuar të Avokatit të Popullit për të përmbushur funksionin që i është caktuar dhe për të vepruar si mekanizëm institucional parësor dhe i domosdoshëm sa herë që rrethanat e një rasti të caktuar kërkojnë ndërhyrje. Ky është detyrim për të vepruar, dhe jo e drejtë për të penguar veprimin e institucioneve të tjera. Ky koncept përcakton përgjegjësinë që Zyra e caktuar duhet të marrë përsipër; megjithatë, në mungesë të një baze të qartë kushtetuese, koncepti nuk përcakton se të gjitha institucionet e tjera me mandat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të bazuar në Kushtetutë, përjashtohen nga ushtrimi i funksioneve të tyre përkatëse.
Përgjegjësia ekskluzive dhe kompetenca ekskluzive përbëjnë dy koncepte juridike të dallueshme, të cilat nuk mund të përdoren si sinonime. E para nënkupton detyrimin e posaçëm që i ngarkohet një institucioni për të garantuar përmbushjen e një funksioni të caktuar, ndërsa e dyta nënkupton autorizimin ligjor për të vepruar duke përjashtuar institucionet e tjera. Ekzistenca e përgjegjësisë ekskluzive nuk mund të merret, në vetvete, si dëshmi e ekzistencës së kompetencës ekskluzive. Për rrjedhojë, çdo pretendim se korniza kushtetuese ose ligjore përjashton kompetencën e Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës duhet të argumentohet duke iu referuar dispozitave përkatëse kushtetuese dhe interpretimit të tyre të drejtë, dhe jo të mbështetet vetëm në përdorimin e termit ‘përgjegjësi ekskluzive’.
Ky dallim është veçanërisht domethënës në rrethanat e kësaj çështjeje. Siç e kuptoj unë çështjen, deri më tani, Zyra e Avokatit të Popullit në Hagë nuk e ka ushtruar në praktikë funksionin e saj monitorues për t’iu përgjigjur shqetësimeve lidhur me të drejtat e njeriut të personave që janë subjekt i procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara. Kjo rrethanë ngre një pyetje legjitime lidhur me përmbushjen në praktikë të përgjegjësisë që i është caktuar këtij mekanizmi. Do të ishte e vështirë të arsyetohej një interpretim sipas të cilit ekzistenca e një zyre të caktuar, pa ushtrimin efektiv të mandatit të saj, do ta pengonte, në vetvete, një institucion tjetër të themeluar me Kushtetutë që të kryente monitorimin e të drejtave të njeriut në kuadër të kompetencave të veta ligjore.
Në vazhdim ka sqaruar se qëndrimi i Avokatit të Popullit nuk nënkupton se mandati i Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës automatikisht mbizotëron ose zëvendëson përgjegjësitë e veçanta që i janë caktuar Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë. Përkundrazi, këto institucione kanë mandate plotësuese.
Qëndrimi i Avokatit të Popullit është se ekzistenca e Zyrës së Avokatit të Popullit në Hagë nuk e shuan, në vetvete, mandatin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës. Përfshirja e më shumë institucioneve në mbrojtjen e të drejtave të njeriut kontribuon në ruajtjen e vlerave evropiane dhe në garantimin e pluralizmit si parim themelor i një shoqërie demokratike. Për rrjedhojë, Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës e ruan mandatin e tij të përgjithshëm kushtetues për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut lidhur me ushtrimin e autoritetit publik, brenda rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.
Për më tepër, ka rikujtuar se, që nga viti 2021, Institucioni i Avokatit të Popullit i Republikës së Kosovës ka ngritur vazhdimisht shqetësime pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë edhe përmes korrespondencës zyrtare të mëvonshme, ndaj së cilës nuk është dhënë asnjë përgjigje. Mungesa e vazhdueshme e përgjigjes ngre shqetësime serioze lidhur me transparencën dhe krijon perceptimin se informacioni mund të mbahet qëllimisht i fshehtë.
Në këtë kontekst, duhet theksuar se ngritja e shqetësimeve dhe dhënia e rekomandimeve nga Avokati i Popullit janë në përputhje me mandatin e tij ligjor, të përcaktuar me Ligjin nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, i cili përfshin edhe nxjerrjen e rekomandimeve të përgjithshme lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor. Rekomandime të tilla synojnë forcimin e praktikave institucionale dhe rritjen e besimit të publikut në administrimin e drejtësisë, pa cenuar pavarësinë gjyqësore. Pavarësia gjyqësore nuk mund të shërbejë si arsyetim për mungesën e transparencës ose të llogaridhënies institucionale. Ngritja e shqetësimeve legjitime dhe nxjerrja e rekomandimeve të përgjithshme që synojnë përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në pavarësinë gjyqësore.
Këtë reagim e shohim me shumë interes, sepse reagimet publike duke vendos kritika e kufizime të mandatit të një autoriteti kushtetues siç është Avokati i Popullit dhe duke u sjell me qëndrime arbitrare dhe ta pa arsyetuara, përben veprim që cenon rolin dhe peshën e një Institucioni të pavarur kushtetues dhe shpërfaq tendencë për të manifestuar refuzim të kontrollit demokratik, kritikës konstruktive dhe debatit publik.

