Enj. Tet 15th, 2026

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, 18 studentë nga Kosova, nga data 10 deri më 17 tetor 2026, po zhvillojnë një vizitë kulturore, përmes projektit rinor “Ëndërro, zbulo, dhuro vakëf”.

Të shoqëruar nga zyrtarë të BIK-ut, studentët po njihen me historinë e vakëfeve dhe trashëgiminë kulturore islame. Programi përfshin Sivasin, Erzinxhanin, Tokatin dhe Stambollin.
Në Sivas, studentët u pritën nga drejtori rajonal i Vakëfeve, Mehmet Ali Çalışkan. Më pas studentët vizituan sheshin historik, Medresenë me Dy Minare, Medresenë Buruxhije, Gökmedresenë, xhamitë e Kalasë, Pashait dhe Mejdanit, si dhe Hanin e Behram Pashës.
Vend të veçantë zuri vizita në Xhaminë e Madhe të Divriğit dhe në kompleksin historik spitalor pranë saj, pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Studentët u njohën me vlerat arkitekturore të këtij kompleksi dhe mjeshtërinë e zbukurimeve në gur.
Në kuadër të programit në Erzinxhan, studentët vizituan Kemaliyen, ku u pritën nga kryetari i komunës, z. Erdem Atmaca. Ata patën mundësi të njihen me trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore të këtij qyteti.
Më 13 tetor, vizita vijoi në Tokat, ku studentët u takuan me drejtorin e Vakëfeve, Halil Ibrahim Özdemir, e më pas vizituan Xhaminë e Ali Pashës, Xhaminë Ullu, Hanin Tashhan, Medresenë Gök dhe Muzeun Arkeologjik.
Sot, më 14 tetor, studentët po vazhdojnë vizitën në Stamboll, ku do të qëndrojnë deri më 17 tetor. Programi përfshin vizita në Xhaminë e Sulltan Ahmetit, në Xhaminë e Ajasofisë, në Xhaminë e Sylejmanijes, në Xhaminë e Mihrimah Sulltanit, në Kullën e Gallatës, në Muzeun e Qytetërimeve Islame dhe në Spitalin Bezmialem. Gjithashtu, studentët do të vizitojnë Xhaminë e Ajazmës në Üsküdar dhe shtëpizat e shpendëve pranë saj, duke u njohur me përkujdesjen që tradita e vakëfit i ka kushtuar edhe botës shtazore. Përmes këtyre vizitave, ata do të mësojnë më shumë për kontributin e vakëfeve në arsim, shëndetësi, bamirësi dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ky bashkëpunim kontribuon në zgjerimin e njohurive të të rinjve dhe në përcjelljen e vlerave të vakëfit e të kujdesit për trashëgiminë kulturore te brezat e rinj

Postime të Ngjashme