Enj. Tet 15th, 2026

Policia reagon për protestën: Distancohuni nga aktet e dhunës, 14 efektivë të plagosur, 35 persona të shoqëruar

Protesta e zhvilluar ditën e sotme është shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, përdorim të mjeteve piroteknike dhe dëmtim të pronës publike e private.

Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga aktet e dhunës, ndërsa ka bërë me dije se si pasojë e sulmeve të vazhdueshme janë plagosur 14 efektivë policie.

Gjithashtu, sipas policisë, deri në këto momente janë shoqëruar 35 shtetas, ndërsa vijon identifikimi i personave të përfshirë në aktet e dhunshme.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit përsërit thirrjet e bëra përgjatë gjithë ditës së sotme për pjesëmarrësit në tubim: Distancohuni menjëherë nga dhuna!

Ndaloni sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike e private.

Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit.

Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar.

Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre. Mos lejoni që tubimi të përdoret për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë dhe për të shkatërruar pronën publike e private. Rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.

E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e Policisë apo të shkatërrojë pronën publike e private. Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.

Shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit. Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas.

Postime të Ngjashme