Diplomati Joshua Huck do të marrë drejtimin e Misionit Amerikan në Greqi, duke zëvendësuar Kimberly Guilfoyle, e cila është shkarkuar nga detyra.
Diplomat me përvojë, i cili ka shërbyer në Departamentin e Shtetit dhe në ambasada të ndryshme në mbarë botën, ka mbajtur më parë detyrën e zëvendësndihmës sekretarit të Shtetit, me përgjegjësi për politikat ndaj Evropës Jugore dhe Kaukazit. Ai ka drejtuar gjithashtu Zyrën për Çështjet e Evropës Jugore, me kompetenca për Qipron, Greqinë, Maltën dhe Turqinë.
Që prej anëtarësimit në Shërbimin Diplomatik Amerikan, në vitin 2001, Huck ka shërbyer në Shangai, Tokio, Sofje, Naypyidaw, Taipei dhe Hong Kong.
Ai ka mbajtur gjithashtu detyra në Uashington, përfshirë pozicione në Zyrën për Çështjet Kineze dhe në Zyrën për Çështjet Koreane. Sipas biografisë së tij zyrtare, Huck ka drejtuar edhe zyrën e Kurt Campbell, i cili ka shërbyer si zëvendëssekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
Joshua Huck është diplomuar në Universitetin Johns Hopkins dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në Universitetin Ndërkombëtar të Japonisë. Ai gjithashtu ka marrë një certifikatë nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare e Universitetit Johns Hopkins në Bolonjë.
Ndërkohë, procesi për përzgjedhjen e personit që do të drejtojë ambasadën amerikane në Athinë pritet të zgjasë disa muaj.
Vendimin përfundimtar për emërimin e ambasadorit e ka Kongresi amerikan. Megjithatë, duke qenë se zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA po afrohen dhe mund të sjellin ndryshime në balancat politike, ratifikimi i emërimit mund të bëhet në muajt e parë të vitit 2027. /Panorama

