Për të 14-tën natë me radhë, qytetarë të shumtë po mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kuadër të protestës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tubimi po zhvillohet nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa pjesëmarrësit po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në shesh po shihen qytetarë të shumtë, veteranë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, ndërsa po përcillen mesazhe në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Protestat e përditshme në Prishtinë po vazhdojnë që nga shpallja e aktgjykimit më 16 shtator, ndërsa organizatorët po bëjnë thirrje për vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.
Në fokus të protestuesve mbetet kërkesa për ndryshimin e kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara, si dhe kundërshtimi i vendimit të shkallës së parë.
Tubimi në sheshin “Skënderbeu” po vazhdon aktualisht, ndërsa qytetarët po shprehin qëndrimet e tyre përmes pankartave dhe mesazheve të ndryshme.

