Mar. Sht 29th, 2026

PDK reagon ndaj deklaratës së ambasadorit britanik për aktgjykimin e Hagës

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me aktgjykimin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në reagimin e saj, PDK-ja ka kundërshtuar përshkrimin e aktgjykimit si një çështje që lidhet vetëm me “krime individuale”, duke vlerësuar se një formulim i tillë nuk pasqyron, sipas saj, peshën dhe pasojat e vendimit për Kosovën.

Partia ka theksuar se në arsyetimin e Dhomave të Specializuara, UÇK-ja trajtohet në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në qëllimin e përbashkët kriminal të përshkruar në aktgjykim.

PDK-ja ka deklaruar se aktgjykimi ka ndikim në mënyrën se si interpretohet lufta e UÇK-së dhe historia e Kosovës, duke shprehur kritika edhe ndaj mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara.

Në reagim, partia ka vlerësuar rolin e Britanisë së Madhe në çlirimin dhe konsolidimin e Kosovës, por ka kërkuar që shqetësimet lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të merren në konsideratë.

PDK-ja ka bërë të ditur se do të kundërshtojë, siç shprehet, çdo interpretim që sipas saj shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë dhe se këtë do ta bëjë përmes mjeteve demokratike, politike dhe juridike.

Postime të Ngjashme