Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se beteja e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, me nënshkruesit e mocionit për shkarkimin e tij, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij.
Sipas Hazirit, të gjithë ata që po dalin me analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre, e j për të ardhmen e LDK-së.
“Bajagi ia kemi pa sherrin pozicionimeve, duke harru kënd e kemi familje politike, kush janë rivalët politikë dhe pse çdo herë na përsëritet situata e njëjtë! Tri degë dhe tre kolegë tanë shkaktuan proces. 1/3 e delegatëve u ftuan me u deklaru me nënshkrime për këtë kërkesë. Atëherë, çka po na duhen fjalët e tepërta me kah 10 statuse në ditë, me gjuhë të ashpër prej disa aktivistëve, ftesa për protestë në mbrojtje e konsumues politikë që po e gërryejnë besimin e idealistëve”, shkroi Haziri në Facebook, transmeton KosovaPress.
Në këtë postim ai përmendi edhe gabimet, por nuk përmendi emra teksa kërkoi unitet partiak.
“Funksionarët edhe mund të pajtohen, por jo besimtarët në sjelljen e funksionarëve. Koha e ka dëshmu. Ma mirë me thanë na falni për gabimet e së kaluarës, se sa me vazhdu me gabime”, shkroi ai. “LDK ka shkaktu procese e ka realizu ëndrra kur ka qenë e bashkuar. Kemi premtu që jemi besë e shpresë për Republikën. Mbajeni fjalën, bashkëpatriotë. Mos hyni në beteja që nuk janë tuajat”.
Përkitazi me këtë, nënkryetari i LDK-së pati edhe një porosi, e cila, sic tha, është e babës së tij, që e quajti hero.
“Me dikënd që duhesh të pajtohesh, kurrë mos u idhno’”, shkroi ai.
Ditë më parë në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë dorëzuar nënshkrimet për të thirrur kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë për votëbesimin e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku.

