Tre persona kanë vdekur Kosovë, të martën, dy prej tyre në aksidente trafiku, ndërsa rasti tjetër është iniciuar si “hetim i vdekjes”, pasi një person është gjetur pa shenja jete, në Viti, sipas raportimeve të policisë.
Një grua humbi jetën në orët e para të së martës në fshatin Komoran të Drenasit, pasi vetura me targa vendore në të cilën ndodhej u përfshi në një aksident trafiku. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore pësuan edhe tre persona të tjerë, një burrë dhe dy gra. Trupi i së ndjerës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Një tjetër aksident me fatalitet ndodhi në rrugën “Besim Ndreca” në Suharekë, ku një burrë, derisa po drejtonte veturën, humbi kontrollin mbi automjetin dhe u përplas në një objekt, rreth orës 10. Ai, siç raporton policia, pësoi lëndime fatale dhe vdiq në vendin e ngjarjes. Edhe në këtë rast, prokurori ka urdhëruar dërgimin e trupit në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkaq, në Viti, është iniciuar një rast si “hetim i vdekjes” pasi një burrë u gjet pa shenja jete, rreth orës 16 e 30. Vdekja u konstatua nga mjeku kujdestar, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /KosovaPress/

