Sht. Kor 11th, 2026

Mbi 80 të intervistuar, ekspertiza në Zvicër, dhe prova e fundit që ndryshoi rrjedhën/ Si vijuan hetimet për vrasjen në Gllogjan?

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan zbulon përmasat e hetimeve të zhvilluara pas sulmit ndaj autobusit të kompanisë “Erblini”, duke përfshirë dhjetëra kontrolle, ekspertiza brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe intervistimin e një numri të madh personash.

Sipas dosjes së siguruar nga IndeksOnline, hetuesit dhe prokurorja e rastit kanë proceduar mbi 86 persona, ndërsa vetëm natën e sulmit dhe gjatë ditëve në vijim janë trajtuar dhjetëra informacione operative dhe mbi njëqind pista hetimore.

Në kuadër të hetimeve janë analizuar 41 video-incizime nga kamera të objekteve publike dhe private, duke ndjekur itinerarin e autobusit “Erblini” nga Gjakova deri në Gllogjan, si dhe hyrje-daljet e fshatit dhe zonave përreth.

Po ashtu, janë kryer kontrolle në të paktën 10 lokacione, përfshirë shtëpinë e familjes së dyshuar Mehmetaj në Gllogjan, Liqenin e Radoniqit, disa prona në Deçan, Gjakovë dhe Bjeshkët e Gllogjanit.

Aktakuza tregon se provat materiale janë dërguar për ekzaminim jo vetëm në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, por edhe në Institutin për Forenzikë në Cyrih të Zvicrës dhe në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, ndërsa autoritetet kanë siguruar informacione edhe nga kompanitë Facebook dhe Viber për nevoja të hetimit.

Dokumenti përshkruan gjithashtu reagimin e menjëhershëm të policisë pas sulmit. Në vendin e ngjarjes u angazhuan njësitet rajonale të hetimeve, forenzika, njësiti antiterror dhe ekipet e krimeve të rënda, ndërsa u krijua një qendër operative në Stacionin Policor në Deçan për koordinimin e hetimeve, raporton IndeksOnline.

Hetuesit siguruan vendin e ngjarjes, analizuan lëvizjet në pikat kufitare, komunikimet telefonike, video-incizimet dhe morën në pyetje të gjithë pasagjerët që ndodheshin në autobus natën e sulmit.

Dokumenti thekson se hetimet u vështirësuan nga reshjet e dendura të shiut, të cilat penguan ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes gjatë natës së sulmit.

Sipas aktakuzës, nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes u gjetën gëzhoja të armës së zjarrit të kalibrit 7.62 mm, predha në trupin e të plagosurit dhe viktimave, si dhe prova të tjera materiale që iu nënshtruan ekspertizave forenzike.

Kjo e fundit është edhe arsyeja se përse sot, kur supozohej të shpallej aktgjykimi, trupi gjykues vendosi që të bëhet rishqyrtim gjyqësor i rastit.

Një provë e prezantuar nga prokurorja e rastit, Sahide Gashi, gjatë fjalës përfundimtare, ku shfaqet i dyshuari Kreshnik Mehmetaj, duke gjuajtur me armë në bjeshkë, pretendohet se është e njëjta e përdorur në natën kritike.

“Dhe ky pretendim për herë të parë formalisht paraqitet në fjalën përfundimtare. Në fazën e hetimeve nga ana e policisë është kontrolluar vendi, ku i pandehuri Kreshnik shihet duke gjuajtur me armë dhe gjatë atij kontrolli rrjedhimisht janë gjetur gëzhoja, ky raport është në shkresat e lëndës por nuk është propozuar nga Prokuroria për administrim”, deklaroi sot gjyqtari Leon Përlaska.

Sipas akuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj pasi ka marrë pushkën automatike AK-47, është nisur në këmbë deri tek vendi i ngjarjes dhe me të vërejtur dritat e autobusit, ka dalë në mes të rrugës i kthyer më shpinë nga automjeti dhe me qëllim që ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndalojë, ka bërë sikur është i dehur. Dhe kur shoferi fillimisht e ka sinjalizuar me drita të gjata e pastaj edhe ka ulur shpejtësinë, sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Mehmetaj në distancë prej rreth 6 metrash ka marrë në shënjestër shoferin e autobusit, tani të ndjerin Gani Gjokaj dhe e ka goditur për vdekje, e po ashtu godet edhe dy nxënës L.H. 17-vjeçar dhe G.M. 17-vjeçare, si dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore F.T

Postime të Ngjashme