Mër. Tet 14th, 2026

Mbi 5 mijë e 900 gjoba për shkelje në trafik brenda një jave në Kosovë

Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në rrugët e vendit gjatë periudhës nga 5 deri më 11 tetor, në kuadër të planit operacional ROADPOL 2026, i cili është zhvilluar me moton “Përqendrohu në rrugë”.

Gjatë kësaj periudhe, janë realizuar gjithsej 1 mijë e 868 pika kontrolli, ndërsa janë kontrolluar 11 mijë e 174 automjete.

Shkelja më e shpeshtë e evidentuar nga policia ka qenë tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, për të cilën janë shqiptuar 5 mijë e 400 gjoba brenda një jave.

Përveç kësaj, 255 shoferë janë gjobitur për përdorimin e telefonit mobil gjatë ngasjes, ndërsa 317 gjoba të tjera janë shqiptuar për mosvendosjen e rripit të sigurisë.

Nëse merren parasysh këto tri kategori të kundërvajtjeve, numri i përgjithshëm i gjobave të shqiptuara arrin në 5 mijë e 972 brenda vetëm një jave.

Qëllimi i këtij operacioni ka qenë rritja e sigurisë në komunikacion dhe parandalimi i aksidenteve rrugore. Përmes kontrolleve, synohet që drejtuesit e automjeteve të ndërgjegjësohen për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut, veçanërisht për kufizimet e shpejtësisë, mospërdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe vendosjen e rripit të sigurisë.

Policia u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat, me qëllim të shmangies së aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës së tyre dhe të të tjerëve.

Postime të Ngjashme