Die. Tet 18th, 2026

Lura nën petkun e borës, destinacion edhe në dimër

Parku Kombëtar i Lurës është veshur nga bora, duke krijuar një pamje të magjishme në zemër të Dibrës.

Liqenet akullnajore dhe pyjet e dendur janë zbardhur nga reshjet e ditëve të fundit, duke e kthyer zonën në një nga peizazhet më të bukura të dimrit në vendin tonë, shkruan ATSH-ja.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga Lura, duke e cilësuar si “pamje përrallore”.

Stina e dimri i jep Lurës një tjetër pamje duke e kthyer në një destinacion ideal për ata që duan të shijojnë magjinë e natyrës së bardhë.

Në këtë trevë janë të ndërthurura bukuritë natyrore, tradita dhe kultura, ndërsa peizazhi mahnitës ngjitet në majë në lartësinë e qiellit dhe ulet me shtatë liqenet, drejt një lugine mes malesh.

Parku Kombëtar i Lurës ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 12.8 km 2, duke përfshirë edhe pjesën lindore të “Kurorës së Lurës”.

Liqenet e Lurës kanë një sipërfaqe prej 1.280 hektarë dhe ndodhen në pjesën lindore të malit masiv të quajtur “Kurora e Lurës”. Me 14 liqenet e tij akullnajore krijon një ambient piktoresk dhe tërheqës në një lartësi nga 1.350 deri në 1.720 metra.

Parku Kombëtar i Lurës është zgjeruar edhe me liqenin e Zall-Gjoçaj, duke krijuar parkun kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” me një sipërfaqe prej 20 mijë e 242 hektarë.

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.