Mar. Tet 20th, 2026

Del në ankand veza e zbukuruar me kristale, ka vlerë dhjetëra miliona paundë

Një vezë e rrallë Fabergé, e zbukuruar me gurë të çmuar dhe në pronësi të nënës së perandorit të fundit rus, është shitur në ankand për një shumë rekord prej 22.9 milionë paundësh.

Veza e dimrit, e porositur në vitin 1913 nga perandori Nikolla II si dhuratë e pashkëve për nënën e tij, perandoreshën Dowager Maria Feodorovna, konsiderohet si një nga krijimet më të përsosura dhe më luksoze të punëtorisë së famshme Fabergé.

Peter Carl Fabergé, i njohur si mjeshtri më i madh i argjendarisë ruse të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, krijoi dhjetëra vepra të porositura nga familjet mbretërore ruse, daneze dhe britanike.

Veza është punuar në kristal shkëmbor, e gdhendur nga brenda me motive ngrice, ndërsa sipërfaqja e jashtme është e dekoruar me fjolla bore prej platini të vendosura me diamante të prerjes “rose-cut”.

Të martën, ajo u shit për 22,895,000 paund, duke thyer rekordin botëror të ankandeve për një objekt Fabergé. Rekordi i mëparshëm datonte në vitin 2007, kur “Veza Rothschild” u shit për 8.9 milionë paund. Sipas shtëpisë së ankandeve Christie’s, kjo është hera e tretë që “Veza e dimrit” vendos një rekord të tillë, falë historisë së saj të pasur që tërheq koleksionistët.

Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, veza u transportua nga Shën Petersburgu në armerinë e Kremlinit në Moskë, së bashku me pasuri të tjera të familjes perandorake.

Në vitet 1920, Qeveria sovjetike filloi shitjen e veprave të artit nga muzeu “Hermitage” dhe koleksione të tjera, shpesh për vetëm një pjesë të vlerës së tyre reale. Më pas, veza u ble nga Wartski i Londrës dhe në vitin 1934 iu shit një koleksionisti britanik për 1500 paundë.

Për gati dy dekada, nga viti 1975 deri më 1994, veza konsiderohej e humbur, derisa doli sërish në shitje dhe u ble për 6.8 milionë paund në ankandin e Christie’s. Tetë vjet më vonë, në vitin 2002, e njëjta shtëpi ankandesh e shiti përsëri për 7.1 milionë paundë.

Margo Oganesian, drejtore e departamentit të Fabergé dhe veprave ruse të artit në Christie’s, deklaroi:
“Christie’s është e nderuar që është besuar për herë të tretë me shitjen e vezës së mrekullueshme të dimrit nga Fabergé. Rezultati i sotëm vendos një rekord të ri botëror, duke riafirmuar rëndësinë e qëndrueshme të kësaj kryevepre dhe duke nderuar rrallësinë e shkëlqimin e një prej krijimeve më të mira të Fabergé, si teknikisht, ashtu edhe artistikisht. Me vetëm pak vezë perandorake të pashkëve të mbetura në duar private, kjo ishte një mundësi e jashtëzakonshme dhe historike për koleksionistët”.

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.