Mër. Tet 28th, 2026

Kurti për zgjedhjet në Serbi: Koalicioni Shqiptar shënoi rezultatin më të lartë që nga viti 2000

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, duke vlerësuar rezultatin e Koalicionit Shqiptar, i cili, sipas tij, shënoi numrin më të lartë të votave që nga viti 2000.

Kurti bëri të ditur se Koalicioni Shqiptar mori gjithsej 27.670 vota, përkatësisht 1.233 vota më shumë sesa në zgjedhjet e vitit 2020, kur kishte siguruar tri mandate.

“Të dielën që lamë pas u mbajtën zgjedhjet në Serbi. Në këto zgjedhje pati disa arritje historike. Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota! Ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1.233 vota më shumë se në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate. Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37.354 votave. Shqiptarët, janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, ndër listat e pakicave kombëtare.

Në anën tjetër, Lista Studentore doli e para, koalicioni i Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi e Daçiqi, humbën.

Ky rezultat kaq i mirë për shqiptarët vjen natyrisht si rezultat i bashkimit të të gjitha forcave në një, për çka e falenderoj secalin subjekt politik atje për vullnetin e tyre që përkundër dallimeve të bashkohen për një kauzë tejet të rëndësishme siç është jeta më e mirë, më e drejtë dhe më e dinjitetshme e shqiptarëve. Bashkimi, si kapitull i ri i përgjegjësisë së përbashkët, duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të të drejtave, me kërkesën për baraza, kundër diskriminimit e shfrytzimit, dhe në përpjekjen për jetë përparimtare në vendlindje.

Urime për suksesin, Kosova, Qeveria jonë është e hapur gjithmonë për ndihmë e për çfarëdo nevoje që shqiptarët kanë atje”, tha Kurti.

Postime të Ngjashme