Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
Gjatë takimit është diskutuar për përshpejtimin e reformave dhe avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian. Kurti ka theksuar se, me institucione plotësisht funksionale, Kosova do t’i përshpejtojë reformat.
Ai ka përmendur edhe hapat e ndërmarrë për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Sipas tij, miratimi i ligjit për integrimin në këtë zonë pritet t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit.
Kurti ka bërë të ditur se së shpejti pritet të fillojnë negociatat për përfshirjen e Kosovës në skemën “Roam Like at Home”, e cila mundëson përdorimin e shërbimeve të telefonisë mobile pa tarifa shtesë të roamingut.
Kryeministri ka theksuar se përparimi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian duhet të përkthehen në hapa konkretë drejt integrimit.
Ai e ka vlerësuar të rëndësishme dhe të nevojshme mbështetjen proaktive të Komisionit Evropian për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit. Kurti ka theksuar se Kosova i ka ratifikuar të gjitha këto marrëveshje, përfshirë atë për njohjen e diplomave, dhe se ato duhet të zbatohen nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.

