Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë një vlerësim pozitiv për atë që bën, nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Ozkan Ulutash.
Sipas tij, personeli i organizatave të sigurisë në Kosovë, ku bën pjesë edhe FSK, vazhdon të zhvillojë aftësitë e tij dhe kjo ndihmon bashkëpunimin me KFOR-in”.
Ulutash tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka treguar përparim të dukshëm.
“Performanca e saj në stërvitjet e përbashkëta, si “Golden Sabre 2026”, e zhvilluar së fundmi, është një shembull i qartë i këtij progresi, veçanërisht në një fushë të rëndësishme si asgjësimi i sigurt i mjeteve shpërthyese”, tha ai në një intervistë për KosovaPress.
Ushtaraku turk tha se NATO vazhdon ta mbështesë FSK-në në kuadër të mandatit të saj fillestar për mbrojtje civile, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), i cili zhvillon një gamë aktivitetesh mbështetëse, përfshirë ngritjen e kapaciteteve, edukimin dhe koordinimin e trajnimeve.
“Këto përpjekje për ngritjen e kapaciteteve përmes NALT-it po vazhdojnë tashmë për një dekadë”, tha ai. “NALT është i ndarë nga KFOR-i. Megjithatë, personeli i tij është i vendosur në selinë e KFOR-it, në kampin “Film City”. Kjo siguron që përpjekjet tona përkatëse të jenë të ndara, por njëkohësisht plotësuese dhe të forcojnë njëra-tjetrën”.
Ulutash u pyet edhe në lidhje me atë se Çfarë hapash duhet të ndërmarrë Kosova për t’iu afruar qëllimi për anëtarësim në NATO dhe kur ai beson se një zhvillim i tillë mund të ndodhë realisht.
“Anëtarësimi në NATO kërkon konsensusin e të 32 aleatëve. Çdo vendim lidhur me zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe institucioneve të Kosovës i takon Këshillit të Atlantikut të Veriut, i cili është organi vendimmarrës i NATO-s”, tha ai. “Unë dhe personeli i KFOR-it që komandoj mbetemi plotësisht të përqendruar në zbatimin e misionit tonë të mandatuar nga OKB-ja”.

