Nga fillimi i vitit e deri më tani janë 16 punëtorë që kanë vdekur në vendin e punës, e që 65.7 për qind e tyre kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë.
Derisa masat ndëshkuese ndaj punëdhënësve i bën Inspektorati Qendror i Punës, në raste se konstatohen shkelje në vendin e punës, përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se gjendja e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, është shqetësuese.
Ndërsa në aspektin juridik gjyqtari nga Gjykata Supreme, Qerim Ademaj për KosovaPress, tha se në kompentencë të gjykatave janë kërkesat për kompensim të çfarëdo dëmi nga pala e dëmtuar.
Ademaj tha se ka raste kur punëdhënësi ka kompensuar në mënyrë vullnetare familjen e palës së dëmtuar, mirëpo në raste kur nuk janë pajtuar për shumën e kompensimit, familja ka kërkuar ndërmjetësimin e gjykatës.
“Kemi raste për shembull kur vetë punëdhënësit, në raste të caktuara për shkak të vdekjes së punëtorit në punë, i kanë kompensuar në mënyrë vullnetare familjarët e tij. Mirëpo, ka raste kur domethënë për shkak të pakënaqësisë që lidhet me shumën e kompensimit dhe çështje të tjera, kanë kërkuar domethënë kompensimin e çfarëdo dëmi që ata vlerësojnë që ka mund me u shkaktu, përmes gjykatës. realisht ne kemi shpesh raste të tilla të trajtuara, domethënë natyra e tillë e lëndëve, sa i përket domethënë çfarëdo dëmi që i shkaktohet, qoftë nga pikëpamja e pjesës familjare”, tha Ademaj.
Por përveç kompensimit të këtij lloji, gjyqtari tregon se nuk ka ndonjë formë tjetër ndëshkimi për punëdhënësit për këto situata.
E përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se gjendja e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, aktualisht është shqetësuese.
Gersi Gashi nga Qendra për Politika dhe Avokim për KosovaPress, tha se duhet të shtohet politika e zerotolerancës.
Për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi mosdënimi i rasteve paraprake është një lloj inkurajimi për kompanitë private që të mos jenë të përgjegjshëm karshi punëtorëve.

