Komuna e Gjakovës ka hapur procedurë të prokurimit publik për rrënimin e objekteve pa leje në territorin e kësaj komune.
Sipas njoftimit për kontratë, bëhet fjalë për një kontratë publike kornizë me një operator ekonomik, me kohëzgjatje prej 24 muajsh. Vlera e parashikuar e kontratës është 200 mijë euro.
Për pjesëmarrje në tender, operatorët ekonomikë duhet të plotësojnë një sërë kriteresh, përfshirë dëshminë e një qarkullimi financiar prej së paku 400 mijë eurosh gjatë tri viteve të fundit, si dhe përvojë në kontrata të ngjashme në vlerë prej të paktën 300 mijë eurosh.
Kërkohet gjithashtu që operatori ekonomik të ketë staf teknik dhe profesional, përfshirë së paku 10 punëtorë, si dhe inxhinierë të fushave të ndryshme, kranist dhe punëtor të certifikuar për manipulimin e makinerive të rënda.
Komuna ka përcaktuar që kontrata të realizohet përmes procedurës së hapur, ndërsa kriteri për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët.
Afati i fundit për dorëzimin e tenderëve është 28 shtator 2026, në ora 13:30, përmes platformës së sistemit të e-Prokurimit. Për tenderin kërkohet edhe siguri në vlerë prej 6 mijë eurosh, me vlefshmëri 120 ditë.
Kontrata është paraparë të mbulojë rrënimin e objekteve pa leje në territorin e Komunës së Gjakovës.

