Enj. Nën 19th, 2026

Kërkohej nga drejtësia amerikane për krime kibernetike, ekstradohet nga Kosova në SHBA

Një shtetas i Kosovës, i kërkuar ndërkombëtarisht për vepra penale që lidhen me krimet kibernetike, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ekstradimi është realizuar sot, më 19 nëntor 2026, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.

Sipas policisë, i dyshuari kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet amerikane të drejtësisë për përfshirje të dyshuar në vepra penale që ndërlidhen me krimet kibernetike.

“Me datën 19.11.2026 është ekstraduar nga Kosova për në SHBA, një shtetas i Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së SHBA-së, i përfshirë në veprat penale që ndërlidhen me krimet kibernetike”, thuhet në njoftimin e policisë.

I dyshuari u është dorëzuar zyrtarëve të Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së (U.S. Marshals) në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale.

Sipas njoftimit, ky bashkëpunim përfshin edhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e të ekstraduarit dhe as hollësi të tjera për veprat penale për të cilat kërkohet nga autoritetet amerikane.

Postime të Ngjashme